Thellohet ndarja e Nedës dhe Ogren Ballukut, vendimi për fëmijët që po bën bujë

Avokatja Greta Çela tha se Neda Karafili nuk po arrin të takojë tre djemtë e saj pas divorcit nga Ogren Balluku. Në një letër drejtuar emisionit “Goca & Gra”, Çela pretendon se vendimi i gjykatës për takimet nuk po zbatohet dhe se gjatë procedurave përmbarimore ka pasur shkelje.

“Si avokate mbrojtëse e nënës, ndiej detyrimin profesional dhe moral të denoncoj shkeljet e rënda ligjore dhe procedurale në këtë proces, ku fëmijët vijojnë të mbeten peng i një situate të papranueshme”, shkruan Çela.

“Së pari, çështja mbart shkeljen flagrante të titullit ekzekutiv për takimin e fëmijëve. Pavarësisht se masa e vendosur nga gjykata është e detyrueshme për t’u zbatuar menjëherë, po përballemi me një akt të pastër ‘vetëgjyqësie’, ku vullneti individual mbizotëron mbi urdhrat e gjykatës”.

“Së dyti, kjo situatë është arritur si pasojë e moskryerjes së detyrës dhe anshmërisë së Shërbimit Përmbarimor. Paligjshmëria ka kaluar çdo kufi kur edhe pasi kryetari i zyrës së përmbarimit vendosi zyrtarisht përjashtimin e përmbarueses nga dosja, ajo refuzoi ta lëshonte çështjen, duke vepruar në kapërcim të hapur të ligjit dhe hierarkisë. Për këtë arsye kemi depozituar kallëzim penal për ‘Shpërdorim detyre’, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor”.

“Së treti, në sfondin e gjithë kësaj panorame të rënduar, mbetet sfida e madhe e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, ku sistemi gjyqësor duhet të veprojë me standarde të larta profesionale dhe shkencore përmes provave të besueshme, për të garantuar që fëmijët të mos përdoren kurrë si armë apo si pengje në luftën e të rriturve, por të kthehen në ambientet e shëndetshme familjare ku u takon të rriten”, përfundon avokatja.

Gjatë emisionit, moderatorja Ori Nebijaj lexoi edhe një mesazh të dërguar nga Karafili:

“Ju falënderoj për fjalët, as armikut tim më të madh nuk ia uroj hallin që më ka rënë. Kam nevojë për çdo ndihmë që mund të më jepet. Zoti më ka falur tre drita sysh, nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë. Ju përqafoj të katërtave”.