Ata që janë prag pensioni mund “të blejnë” vite pune për pension, por kujdes, ja sa do paguani
Fermerët që jetojnë në fshat dhe zotërojnë tokë bujqësore mund të shlyejnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara pa kamatëvonesa apo penalitete, sipas A2 CNN. Detyrimi vjetor i raportuar është 38.400 lekë për zonat fushore dhe 29.400 lekë për zonat malore.
“Kjo është një lehtësi shumë e rëndësishme për fermerët, sepse u jep mundësinë të rregullojnë vite të tëra detyrimesh të papaguara pa u rënduar nga gjobat dhe interesat. Në praktikë, qytetari paguan vetëm shumën bazë të kontributeve dhe i mbyll përfundimisht detyrimet prapambetura”, u shpreh eksperti Kujtim Hoxha.
Sipas raportimit, falja përfshin detyrimet nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që kontributet e plota të paguhen brenda **31 dhjetorit 2026**.
“Ligji përcakton qartë periudhën që përfshihet në falje dhe vendos një afat të fundit për pagesën. Kjo do të thotë se kush dëshiron të përfitojë, duhet të shfrytëzojë këtë dritare kohore, përndryshe detyrimet do të mbeten aktive dhe do të vijojnë të rëndohen”, theksoi ai.
“Për fermerët, pagesa e kontributeve nuk është thjesht një formalitet, por një garanci për të ardhmen. Ajo lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e pensionit, me sigurimin shëndetësor dhe me aksesin në shërbime që janë të domosdoshme, sidomos në moshë të tretë”, shtoi Hoxha.