Producenti Avni Qahili ka kujtuar bashkëpunimet me Shpat Kasapin, duke folur edhe për jetën private dhe vështirësitë me të cilat u përball këngëtari.
“Kam shkruar shumë këngë për Shpatin. Është një këngë shumë e mire. Atëherë ishte tek unë në studio me ish-të fejuarën, të cilës i bëra edhe këngë. Natën që më erdhi lajmi i trishtë, personi që më erdhi më i përlotur ishte Afërdita. Ishte një shkëndijë dashurie, por sikur Shpatin nuk e lanë të dashuronte. Kur u rrit, bashkëshorten e tij e mbante shumë të fshehur. Nuk e kanë lënë të qetë me lajme false”, rrëfeu Qahili.
Ai foli gjithashtu për arsimimin e Shpatit dhe mungesën e mbrojtjes institucionale për artistët në Ballkan.
“Shpati është shkolluar, ka mbaruar universitetin. Nëse nuk do të ishte këngëtar, do të ishte një intelektual shumë i mirë, një akademik. Por ja që e kaploi showbiz-i. Tek ne në Ballkan nuk ka rregulla, nuk ka institucione që të mbrojnë të drejtat e tua. Çdo gjë duhet ta bësh vetë. Mua më vjen keq, ne nuk bëjmë muzikë, por zhurmë”, u shpreh ai.
“Le të jetë një shembull për të gjithë të tjerët që të jenë korrektë, të pastër, të mirë. Të gjithë ne duhet të kemi kujdes ndaj yjeve tanë, t’i respektojmë pak më tepër, sepse një ditë do të jetë vonë”, përfundoi Qahili.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, në Itali, pas një arresti kardiak.