“Takime me agjentët serbë te Hotel Rogner”, Gazetarja Klodiana Lala reagon pas akuzave të Vlora Hysenit

Një përplasje verbale është regjistruar këtë të enjte në hyrje të GJKKO-së mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe gazetares Klodiana Lala. Episodi ndodhi përpara se Hyseni të hynte në ambientet e gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Teksa po i drejtonte pyetje lidhur me Ergys Agasin, Lala mori një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Hyseni, e cila iu drejtua gazetares me pretendimin: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

Ish-drejtuesja e SHISH nuk dha sqarime të mëtejshme për deklaratën dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të tjera të gazetarëve, përfshirë ato që lidheshin me Albin Kurtin, duke vijuar më pas drejt ambienteve të GJKKO-së.

Pas episodit, Klodiana Lala reagoi gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë televizive, duke e cilësuar deklaratën e Hysenit si një sulm dhe tentativë për shantazh ndaj saj.

“Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve, duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme”, deklaroi Lala.

Gazetarja theksoi se mbetet për t’u sqaruar se cilave takime u referohej konkretisht Hyseni, ndërsa e konsideroi pretendimin e bërë ndaj saj si një akuzë të rëndë.

Ngjarja solli reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë. Në një deklaratë publike, AGSH dënoi qëndrimin e Hysenit ndaj gazetares dhe kërkoi tërheqjen e deklaratave. Organizata i bëri gjithashtu thirrje SPAK-ut që episodi të trajtohet me seriozitet.