Vr*u djalin dhe u arratis/ Prokuroria zbulon çfarë u gjet në shtëpinë e 53-vjeçarit në Gjilan

53-vjeçari R.A., i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të djalit të tij 29-vjeçar, B.A., në Pogragjë, mbetet në arrati. Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ngjarja ndodhi më 11 tetor, rreth orës 19:20, ndërsa motivi mbetet i panjohur.

“Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar. I dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar autopsinë e trupit të viktimës.

“I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike”, u tha në njoftim.