Ramush Haradinaj për raketat amerikane: Qeveria Kurti të japë llogari pse u vonua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar të vonuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë se madje Qeveria duhet të japë llogari “pse është vonuar kaq shumë”.

Haradinaj në Facebook ka thënë se qysh më 2018 ka qenë dakordimi për blerjen e armëve, përfshirë raketat për të cilat u njoftua zyrtarisht sot.

“Po lexoj se si Kosova paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin. Lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite! Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm!”, ka shkruar ai. “Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në!”

Të enjten, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se Departamenti Amerikan i Shtetit ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerje të raketave anti-tank “Javelin” dhe se tash i takon Kongresit amerikan të marrë vendimin. Lajmin i pari e bëri publik ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ministri Maqedonci i pyetur për sasinë e raketave që do të blihen ka thënë se “do të blihen mjaftueshëm për nevojat e FSK-së”.