Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dalë publikisht për të shprehur kënaqësinë e tij pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi impiantet bërthamore të Iranit, duke i konsideruar ato si një premtim të mbajtur për të parandaluar regjimin iranian të zotërojë armë të shkatërrimit në masë.
Netanyahu bëri të ditur edhe një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump pas sulmit. “A ju kujtohet që në fillim të operacionit ju premtova se objektet bërthamore të Iranit do të shkatërroheshin, në një mënyrë apo tjetër? Ky premtim u përmbush. Pak çaste më parë, në koordinim të plotë mes meje dhe Presidentit Trump, si dhe në bashkërendim të plotë mes Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe ushtrisë amerikane, SHBA-ja sulmoi tri qendrat bërthamore të Iranit. Me këtë veprim, SHBA-ja vazhdoi – me forcë dhe vrull edhe më të madh – sulmet e nisura nga IDF dhe Mossad kundër programit bërthamor të Iranit”, tha Netanyahu, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
Kryeministri izraelit e cilësoi programin bërthamor iranian si një kërcënim ekzistencial për Izraelin dhe një rrezik për mbarë botën. Ai më tej zbuloi detaje nga biseda telefonike me Presidentin Trump: “Menjëherë pas përfundimit të operacionit, Presidenti Trump më telefonoi. Patëm një bisedë shumë të ngrohtë dhe emocionuese. Ai më përgëzoi mua, ushtrinë tonë dhe popullin tonë. Nga ana ime, unë e përgëzova atë, pilotët amerikanë dhe popullin amerikan. Presidenti Trump po udhëheq botën e lirë me vendosmëri të hekurt. Ai është një mik i madh i Izraelit, si askush tjetër më parë. Në emrin tim dhe të popullit të Izraelit, në emër të mbarë popullit hebre, e falënderoj nga thellësia e zemrës”.
Deklarata e Netanyahut pasqyron kënaqësinë e Izraelit me veprimet e SHBA-së dhe forcon aleancën e ngushtë mes dy vendeve në përballjen me sfidat rajonale.