Kuku për neve/ Goditje për ata që synojnë Gjermaninë, vjen lajmi i keq për vizat e punës

Një projekt-rregullore në Gjermani parashikon uljen e kuotës vjetore të miratimeve fillestare për punësim nga Ballkani Perëndimor, nga 50 mijë në 25 mijë, prej 1 janarit 2027. Sipas “Allgemeine Bauzeitung”, propozimi pritet të shqyrtohet nga qeveria federale më 4 nëntor, transmeton Telegrafi.

Shoqata Qendrore Gjermane e Ndërtimit (ZDB) e kundërshton masën, duke paralajmëruar se sektori mund të humbasë rreth 9 mijë punëtorë. Sipas saj, rreth 35% e vizave të lëshuara përmes kësaj skeme u takojnë kompanive të ndërtimit. Kreu i ZDB-së, Felix Pakleppa, paralajmëron vështirësi për projektet e banesave, urave dhe rrjeteve energjetike.

Rregullorja “Westbalkanregelung” përfshin shtetasit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo mundëson punësimin me një ofertë konkrete pune, edhe pa kualifikim profesional të njohur në Gjermani.

ZDB thotë se 98% e personave që kanë hyrë në tregun e punës përmes skemës janë të punësuar. Organizata kërkon ruajtjen e kuotës dhe procedura më të shpejta e digjitale.