Një video e publikuar dje në portalin Newsbomb.al, ku shfaqeshin dy efektivë të Policisë Rrugore teksa kthenin nga rruga një drejtues mjeti që ishte konstatuar duke hedhur mbeturina nga xhami, ka marrë vëmendje të gjerë.
Sipërmarrësi i njohur i “Mrizit të Zanave” në Fishtë të Lezhës, Altin Prenga është mes njerëzve që kanë parë pamjet dhe falenderon dy efektivët e Policisë Rrugore që detyruan shoferin të kthehej pas dhe të merrte mbeturinat që hodhi nga xhami.
“Ftojë publikisht këta dy djem të forcave të rendit, bashkë me familjet e tyre në Mriz, për drekë dhe i falenderoj me shpirt për çfarë bëjnë për vendin tonë”, shkruan sipërmarrësi i suksesshëm Altin Prenga, teksa ndan ftesën publike për dy efektivët që të drekojnë falas në agroturizmin e tij, bashkë me familjet.
Ai vlerëson portalin “Newsbomb.al” për pasqyrimin e këtij episodi dhe botuesen Anila Basha, për hapësirën në media të të tilla ngjarjeve, që synojnë të sensibilizojnë opinionin publik, se të gjithë duhet të përpiqemi me aq mundësi sa kemi për ta bërë vendin tonë më të mirë dhe më të jetueshëm, jo ta ndotim atë.
Episodi të cilit i referohet sipërmarrësi Altin Prenga ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës, në një nga rrugët që të çojnë drejt plazhit, kur drejtuesi i një mjeti është konstatuar nga Rrugorja duke hedhur mbeturina nga xhami, gjatë lëvizjes.
Menjëherë, ai ëstë ndaluar dhe efektivi e ka detyruar të kthehet pas, të merrte mbeturinat dhe t’i hidhte në një nga koshat që ndodhej buzë rrugës, jo shumë larg vendit ku shoferi flaku qeset e ushqimeve që kishte konsumuar gjatë ditës.