Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare pas një momenti të pazakontë gjatë mbërritjes së tyre në Britani, në kuadër të një vizite shtetërore tre-ditore.
Gjatë zbritjes nga avioni në bazën ajrore RAF Northolt në Londrën Perëndimore, ku u pritën nga Princi dhe Princesha e Uellsit në emër të Mbretit Charles III, presidenti Macron i ofroi Brigitte-s dorën për ndihmë teksa ajo po zbriste shkallët. Por zonja e parë franceze zgjodhi të mbështetet te parmakët, duke e lënë dorën e bashkëshortit të zgjatur në ajër në një moment të sikletshëm.
Më pas, Macron e uli dorën pa marrë ndonjë reagim dhe iu drejtua Kate Middleton, së cilës i puthi dorën në shenjë përshëndetjeje.
Pak minuta më pas, ata u panë në një automjet të parkuar në pistë, ku Brigitte Macron po shikonte telefonin e saj me vëmendje, ndërsa Macron qëndronte pranë saj.
Vizita zyrtare e Presidentit Macron në Mbretërinë e Bashkuar synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, megjithatë ky episod ka spostuar përkohësisht vëmendjen nga diplomacia drejt jetës personale të çiftit presidencial.