Gazetari Tozaj rikthehet me pretendime të rënda për Adrian Hilën, përmend edhe… (Video)

Gazetari Elton Tozaj vlerësoi në një transmetim në rrjetet sociale se kompozitori Adrian Hila mund të ketë fituar nga 2,5 deri në 2,8 milionë euro për këngët e realizuara gjatë karrierës. Ai ngriti dyshime nëse Hila i ka deklaruar këto të ardhura dhe ka paguar taksat.

“Në 25 vite karrierë, nga 5.000 euro për këngë, po i marr minimalen, janë miliona euro. Miliona euro që ky njeri i ka marrë dhe i ka futur në xhep nga këngëtarët”, deklaroi Tozaj.

“Në 25 vite, 2.8 milionë euro është një shumë minimale. Një shumë minimale që ne po e përmendim, 2.5 milionë euro. Në 2.5 milionë euro, 15% i takojnë shtetit. Tani një pyetje kam unë. Ky njeri ka paguar ndonjëherë tatime, ka paguar ndonjëherë taksa dhe i ka dhënë ndonjëherë lekë shtetit shqiptar? Për këngët që ai ka shitur, që ai ka punuar, normalisht. S’ia hedh njeri poshtë faktin që ka punuar. Por jemi duke pyetur. A i ka paguar ndonjëherë taksa shtetit?”, u shpreh gazetari.

Duke iu referuar të dhënave tatimore që tha se kishte parë, Tozaj shtoi: “Sepse sipas gjithë këtyre tatimeve që unë kam parë, është zero. Zero lekë. Dhe kemi të bëjmë me një evazion të pastër fiskal”.

Tozaj nuk paraqiti dokumente zyrtare gjatë transmetimit për të mbështetur shifrat apo pretendimin për mospagimin e taksave. Autoritetet nuk i kanë konfirmuar pretendimet dhe në raportim nuk përmendet ndonjë reagim nga Hila.