Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.
I njëjti është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore.
Sipas Sinjalit viktima dhe i dyshuari kishin edhe një mosmarrëveshje të hershme pronësore, e cila dyshohet se ka çuar deri në këtë krim të rëndë.
Policia pati raportuar se më 4 gusht ka gjetur një trup të pajetë të groposur në një arë të këtij fshati. Më vonë u bë e ditur se viktima ishte Enver Bajraktari.