Një ngjarje tragjike e ndodhur më 14 gusht në fshatin Pirg të Maliqit ka tronditur opinionin publik. Pas një konflikti për arsye banale, 14-vjeçari Erald Xhejo humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri.
Ditën e sotme, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin 14-vjeçar Enedio Guri, si dhe për babain e tij Edison Guri, xhaxhain Roland Guri dhe mikun e familjes, 34-vjeçarin Flori Çela. Këta të fundit akuzohen se kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, duke fshehur thikën e krimit, ndihmuar largimin nga vendi i ngjarjes dhe fshehjen e autorit të mitur për të shmangur arrestimin.
Pas seancës, avokati i të miturit, Ledian Spaho, deklaroi se klienti i tij ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe ka shfaqur pendesë. Gjatë dëshmisë para trupës gjykuese, autori ka shpërthyer në lot dhe është shprehur:
“Nuk kam dashur të bëj vrasje. Ishte një grindje e momentit. Jam shumë i penduar. Ngushëllime familjes.”
Avokati Spaho theksoi se edhe pse i mitur, gjykata e konsideroi të ligjshme masën e arrestit për autorin, por edhe për të afërmit e tij. Ndërsa për të miturit e tjerë të përfshirë, gjykata vendosi mbikëqyrje prindërore dhe detyrimin për t’u paraqitur para saj.
Avokati, në emër të klientit dhe familjes së tij, shprehu ngushëllime për humbjen e familjes Xhejo, duke nënvizuar se tragjedia ishte pasojë e një konflikti të çastit, me pasoja të pariparueshme.