Euronews Albania ka publikuar vendimin gjyqësor që çoi në lirimin nga burgu të Ragip Gilës, i dyshuari kryesor për atentatin me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër.
Sipas dokumenteve, Gila ishte dënuar më herët me 5 vite burg për prodhim dhe shitje narkotikësh, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj. Gjykata më pas vendosi pezullimin e vuajtjes së dënimit dhe vendosjen e tij në provë për 5 vite.
Ky vendim u mor pavarësisht se gjatë arrestimit të vitit 2023 në banesën e Gilës u gjetën armë luftarake, municione, jelekë antiplumb dhe lëndë narkotike, për të cilat ai u procedua për disa vepra të rënda penale.
Tashmë, ai po hetohet si autor i dyshuar i atentatit ku humbën jetën Armando Pali dhe Geridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe një kameriere.
Gazetari i Euronews u shpreh se Gila “duhet të ishte ende në burg”, duke ngritur pikëpyetje mbi vendimin gjyqësor që e la të lirë.