Masa e përkohshme e KUSHTETUESES, REAGON ambasada gjermane/ Ja çfarë kërkon hapur

Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave kundër Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kjo ambasadë ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së sistemit juridik si “gurthemel i sundimit të ligjit”.

“Ftojmë të gjithë aktorët politik dhe institucionet në Kosovë të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë pavarësinë e sistemit juridit, të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshi sulmet personale” – thuhet mes tjerash në reagimin e Ambasadës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj përkitazi me “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.

Në një reagim publik, kjo gjykatë ka thënë se pavarësia nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.

“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”– thuhet në komunikatën e lëshuar më 08.09.2025.

Në reagim thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”- thuhet tutje në reagim.

Po ashtu, Gjykata ka apeluar tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 07.09.2025, ka thënë se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Lideri i LVV-së ka deklaruar se Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe, ndërsa shtoi se nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese, “vonon e dëmton qëllimshëm”.

Ai ka thënë se “kjo është ngjashëm sikur Arben Vitia të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.