Para pak çastesh është varrosur vëllai i mitur i këngëtarit të njohur nga Peja, Besart Kelmendi (Gjesti).
Ceremonia mortore u zhvillua në varrezat e fshatit Pavlan, ku dhjetëra qytetarë, familjarë, miq e të afërm u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut që humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku një ditë më parë.
Atmosfera në varrim ishte e rëndë dhe e mbushur me dhimbje, ndërsa lotët e familjarëve dhe shokëve të ngushtë e bënë edhe më të ndjerë momentin e ndarjes së tij nga jeta.
Në mesin e të pranishmëve u panë edhe figura publike, të cilat erdhën për të shprehur ngushëllimet e tyre ndaj familjes Kelmendi. Ndër ta ishte edhe këngëtari i njohur Luiz Ejlli, i cili udhëtoi për të qenë pranë familjes në këtë ditë zie, duke treguar mbështetje e solidaritet në këtë moment të rëndë.
Kujtojmë se i mituri ndërroi jetë në vendngjarje, pasi automjeti me të cilin po udhëtonte doli nga rruga në fshatin Bllagajë të Pejës. Ngjarja tragjike ka lënë të pikëlluar jo vetëm familjen, por edhe të gjithë komunitetin lokal, i cili është tronditur nga humbja e një jete të re.
