Balluku prej 3 orësh në Kryeministri, ndërsa Ulsi Manja mbërrin urgjentisht – çfarë po ndodh pas dyerve të mbyllura?

Deputeti Ulsi Manja ka mbërritur në kryeministri rreth orës 15:40, ku prej të paktën 3 orësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është në një takim me kryeministrin Edi Rama.

Takimi i Ballukut me Ramën erdhi pas masës së propozuar nga SPAK dhe vendosur nga GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ndalimin e daljes së saj jashtë shtetit.

GJKKO bëri të ditur sot masat e sigurisë të marra në drejtim të zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, që është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK, sikundër i ndalohet edhe dalja jashtë vendit.

Vendimi i GJKKO-së është marrë ditën e mërkurë, ndërsa u bë publik sot. Bashkë me Ballukun, GJKKO ka vendosur masa sigurie edhe për dy zyrtarë të tjerë, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë.

Pas publikimit të vendimit, zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka shkuar në Kryeministri ku sipas raportimeve është takuar me Kryeministrin Edi Rama.

Nuk dihet nëse Kryeministri do të zbatojë vendimin e shkallës së parë të GJKKO-së, ndërsa ky vendim pritet të apelohet.

Ndoshta deri në një vendim të Apelit lidhur me masat e sigurisë ndaj Ballukut, nuk do të ketë asnjë lëvizje nga Kryeministri Edi Rama.

Zëvendës kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është tashmë nën 2 masa sigurie: Pezullim detyre dhe ndalim i daljes jashtë vendit.

Gazetarja Klodian Lala raporton se masat janë marra në lidhje me akuza për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe. Lala ka deklaruar se Balluku, e cila aktualisht ndodhet në Kryeministri, pritet të dorëzojë detyrë, e parashikuar kjo nga ligji.

Sipas gazetares nëse Balluku nuk pranon të zbatojë ligjin, ndaj saj mund të merret një tjetër masë sigurie edhe më e rëndë.

“Sipas ligjit duhet të dorëzojë zyrtarisht detyrat. Nëse nuk e zbaton vendimin e gjykatës mund të kemi edhe një ashpërsim të masës së sigurisë.
Gjykata nuk cakton dot masë sigurie për deputetin pa marrë autorizim, pra do të vijojë të jetë deputete për sa kohë nuk i është kërkuar heqja e mandatit, çka mund të ndodhë në rast se ndaj saj do të ngrihen masa të tjera të sigurisë”, tha ajo.