Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar një shkrim shumë kritik ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar për mungesë përgjegjësie politike pas disfatës zgjedhore dhe për mospërmbushje të premtimit për dorëheqje.
Në reagimin e tij, Mehmetaj e vë në dyshim sinqeritetin e gjuhës së “depolarizimit” të përdorur nga Abdixhiku dhe ngrit dy pretendime të rënda: se ai ose është i kapur nga grupe të fuqishme ekonomike, kryesisht të ndërtimit në Prishtinë, ose se shërben si figurë e përshtatshme për pushtetin e Albin Kurtit, duke kontribuar në dobësimin e mëtejshëm të LDK-së.
Mehmetaj thekson se Abdixhiku kishte ende një rrugë dinjitoze për ta mbyllur mandatin e tij politik, përmes dorëheqjes, reformimit të partisë dhe rikthimit në betejë politike si deputet.
SHKRIMI I PLOTË I GAZETARIT LIRIM MEHMETAJ:
O Lumir po me gjuhën e depolarizimit çka ndodhi? Apo ajo paska qenë veç arsyetim për të mos e sulmuar Albin Kurtin?
Lumir Abdixhiku natën e zgjedhjeve, kur e kuptoi rezultatin, doli në konferencë për media dhe u ankua për kohën e pakët që ka kaluar me vajzat këto vitet e fundit.
U premtoi atyre se tash e tutje do të kalojë më shumë kohë me to.
Ta çosh partinë në rezultatin më të dobët historik, pasi ke premtuar se po e merr për ta rikthyer në majat e saj dhe shqetësimin e vetëm ta kesh kohën e humbur me vajzat, tregon më së miri se i çfarë stofi është ky njeri.
LDK-ja duhet ta ruajë vetën nga Abdixhiku qysh nuk e ka ruajtur më parë nga Vjosa Osmani e qysh nuk e ka ruajtur nga Donika Gërvalla.
Arsyet përse Abdixhiku “i ka rënë pishman” nga nata e zgjedhjeve kur premtoi dorëheqjen, por tash nuk po e jep, janë veç dy:
E para: Është aq i kapur nga grupet kriminale, kryesisht ato të ndërtimit në Prishtinë, saqë ai detyrohet nga ta që të qëndrojë se s’bën.
E dyta: Është qysh nga kryehera person i deleguar i Albin Kurtit për ta shkatërruar përfundimisht LDK-në, sepse Kurti e do të gjithën për vete.
P.S.
Lumir Abdixhiku edhe në këtë situatë të vështirë e ka pasur një shteg të dinjitetshëm: të japë dorëheqje, ta monitorojë procesin zgjedhor të kryetarit të ri, të sigurohet që ai të jetë transparent e demokratik, t’i kthehet punës si deputet, të denoncojë, të bëjë betejë me pushtetin dhe të luftojë si asnjëherë tjetër, tash edhe me përparësinë e përvojës së fituar si kryetar, e ndoshta të rikthehet në krye të partisë në një moment tjetër.
Po me gjasë, lufta me dinjitet për këtë butak është terren i panjohur.