“A je rahat pa mu”/ Publikohet kënga-amanet e Shpat Kasapit, historia pas saj prek zemrat

Selvije Jao ka publikuar këngën e Shpat Kasapit “A je rahat pa mu”, gati një vit pas ndarjes së bashkëshortit të saj nga jeta. Ajo e kishte ruajtur për muaj të tërë, pasi nuk ndihej gati ta ndante me publikun.

Në Instagram, Selvija tregoi se e kishte zgjedhur këngën mes katër demove që Shpati i kishte dërguar. Publikimi ishte planifikuar gjatë qëndrimit të tij në Big Brother VIP Albania 5, por këngëtari ndërroi jetë në nëntor të vitit të kaluar, pa hyrë në program.

Kënga e përfunduar i kishte mbërritur nga producenti Anton Prendi rreth marsit ose prillit. Selvija falënderoi edhe Arti Rec dhe Imperial B për kontributin e tyre.

“Sot, titulli ‘A je rahat pa mu’ më dhemb më shumë se çdo fjalë tjetër”, shkroi ajo, duke e cilësuar publikimin si një amanet të Shpatit dhe duke shprehur dëshirën që zëri i tij të mos harrohet.