Blerina Matraku ka rrëfyer në “Goca dhe Gra” marrëdhënien me Adrian Hilën, pas publikimit të videove intime. Në intervistën me Ori Nebijajn, ajo tha se kishte qenë e dashuruar dhe e kishte idealizuar kompozitorin, ndërsa sot ndihet e tradhtuar dhe e përdorur.
Sipas saj, Hila kishte ndikuar në karrierën e saj dhe ajo i besonte. Matraku tha se nuk dinte për kamerat: “Unë e dija sistem alarmi. Nuk e dija që ishte kamerë sigurie, meqë kishte pasur vjedhje”.
Ajo kujtoi se në vitin 2022 Hila i kishte folur për shkëputjen nga muzika dhe krijimin e një ambienti me studio në Tiranë. “Ti e ke derën hapur tek unë”, kujtoi ajo fjalët e kompozitorit, ftesë që e kishte interpretuar si shenjë miqësie dhe vlerësimi.
Matraku tha se kishte besuar se Hila ishte i ndarë nga bashkëshortja dhe ishte tërhequr kur kishte mësuar të kundërtën. “Jam e penduar për marrëdhënien që krijova me këtë njeri”, u shpreh ajo.
Më herët, këngëtarja kishte kërkuar ndalimin e shpërndarjes së videove, duke folur për pasojat në jetën personale dhe familjare.