Arlinda Sylaj Zekaj, 49 vjeçe, i kishte drejtuar një kërkesë urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë më 22 tetor, tri ditë përpara se të humbte jetën në Vitomiricë.
Sipas dokumentit të publikuar nga Gazeta Sinjali, ajo kërkonte zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe shqyrtimin e lëshimeve të pretenduara të zyrtarëve, duke përmendur veçanërisht Qendrën për Punë Sociale. Në letër nuk jepen emra konkretë.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Arlinda. Në dokument kishte shtuar edhe: “Kjo është shtesa ime e fundit”.
Prokuroria ka konfirmuar pranimin e parashtresës, regjistrimin për vlerësimin e përgjegjësive eventuale të zyrtarëve dhe përcjelljen për trajtim urgjent tek institucionet përkatëse. Sipas saj, vendimi për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë ishte zbatuar në bashkëpunim me policinë.
Për ngjarjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj. Rrethanat dhe përgjegjësitë eventuale, përfshirë trajtimin institucional të shqetësimeve të Arlindës, mbeten për t’u sqaruar nga hetimet.
Burimi: Gazeta Sinjali / Prokuroria Themelore në Pejë.