Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka kërkuar raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt, e vrarë në Pejë.
“Në këtë drejtim, Kryeprokurori i Shtetit ka autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve, në të cilat viktimë ka qenë e ndjera Arlinda Zekaj.
Po ashtu, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar me shkrim lidhur me kronologjinë e trajtimit të rasteve të së ndjerës, duke përfshirë identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të rasteve; të dhënat për prokurorët kujdestarë dhe prokurorët që i kanë trajtuar rastet; veprimet procedurale të ndërmarra dhe kohën e ndërmarrjes së tyre; vendimet e nxjerra dhe arsyetimin përkatës; vlerësimin e rrezikut dhe masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës; komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante; si dhe trajtimin e shkresës së viktimës të datës 22.10.2026 dhe çdo informacion tjetër me rëndësi për vlerësimin e plotë të veprimeve të Prokurorisë”, thuhet në komunikatë.
Edhe Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të ndërmarrë veprime hetimore për rastet e raportuara nga Arlinda.
“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”. /Insajderi.org/