Tërmet politik për Listën Serbe/ Ja çfarë e pret pas humbjes së Vuçiqit

Lista Serbe nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë pas zgjedhjeve në Serbi, ku, sipas rezultateve preliminare, Lista Studentore mori mbi 52% të votave, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiçit rreth 39%. Në vendvotimet ku votuan serbët nga Kosova, lista e Vuçiçit mori rreth 71%, kundrejt 21% të studentëve.

Lista Serbe u formua më 2013 me mbështetjen e SNS-it dhe Vuçiçit. Ajo drejton dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe ka nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb. Vuçiçi, megjithëse pranoi humbjen, tha se kishte fituar “kudo ku jetojnë serbët në rajon”.

Për opozitarin nga Leposaviqi, Ivan Vuçkoviç, “asgjë nuk do të jetë më si më parë”. “Liria po na vjen nga Beogradi”, thotë ai. Përfaqësuesit opozitarë akuzojnë Listën Serbe dhe pushtetin e deritashëm në Beograd se ua kanë “dorëzuar” institucioneve të Kosovës kompetencat serbe.

“Pas kësaj tradhtie të madhe, si pasojë e së cilës nuk na ka mbetur pothuajse asgjë nga Serbia në Kosovë e Metohi, do të jetë shumë e vështirë”, thotë Vladimir Radosavleviç nga Demokracia Serbe.

Nenad Rashiç nuk përjashton që SNS-ja t’u kërkojë përfaqësuesve të Listës Serbe dorëheqjen:

“Kjo mund të jetë një nga mundësitë, por nuk pres që ata të veprojnë në mënyrë morale dhe ta bëjnë një gjë të tillë. Ata janë në pushtet në nivel lokal sepse SNS-i i ka vendosur në ato pozita me të gjitha mënyrat e mundshme”.

Vuçkoviç parashikon shpërbërjen e partisë: “Jam i bindur se ata do të shpërbëhen në ditët në vijim. Nga ana tjetër, ata nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e Beogradit”.

Radosavleviç vlerëson se Lista Serbe nuk mund të mbetet në pushtet, përndryshe “e gjithë lufta do të kishte qenë e kotë”.

“Si dikush që ka qenë me studentët që nga fillimi, e di se ata nuk do ta pranojnë kurrë bashkëpunimin me Listën Serbe, bërthamën e fortë të SNS-it në Kosovë. Ata kanë qenë bashkëpjesëmarrës të drejtpërdrejtë të Aleksandar Vuçiçit në tradhtinë e madhe ndaj Kosovës e Metohisë. Shkurt, atyre u ka ardhur fundi dhe së shpejti do të japin llogari për gjithçka që kanë bërë”, thotë ai.

Lista Studentore ka deklaruar se për Kosovën do të veprojë sipas Kushtetutës së Serbisë, por nuk iu përgjigj REL-it për bashkëpunimin me Listën Serbe apo Qeverinë e Kosovës.

Vuçkoviç kërkon shqyrtimin e fondeve të dërguara nga Serbia dhe pretendon se përfaqësuesit e Listës Serbe “mund të kërkojnë azil politik në Kosovë”, për shkak të akuzave me të cilat, sipas tij, mund të përballen në Serbi.

“Jam i sigurt se edhe këtu [në Kosovë] do të ketë ndryshim të pushtetit”, thotë ai.

“Të mund të llogarisim në mbështetjen e Serbisë në aspektin financiar, në mënyrën më reale dhe më të drejtë. Disa gjëra thjesht kanë marrë fund, por shpresoj që pushteti i ri do të arrijë t’i korrigjojë disa gabime të pushtetit të mëparshëm, sa i përket asaj se kush i udhëheq institucionet, mbështetjes dhe shpërndarjes së fondeve”, shton Vuçkoviç.

Radosavleviç kërkon më shumë ndikim për serbët e Kosovës: “Që ne të vendosim për fatin tonë”.

“Lista Studentore nuk ka nevojë të bëjë asgjë të jashtëzakonshme. Mjafton të emërojë drejtues të aftë dhe të ndalojë vjedhjen e qindra milionë eurove, të cilat çdo vit përfundojnë në xhepa privatë, në vend se të shkojnë në zonat serbe në Kosovë. Kjo do ta zvogëlonte ndjeshëm largimin e serbëve nga Kosova, që ka marrë përmasa marramendëse”, thotë ai.

Drejtori i organizatës Aktiv, Miodrag Milliçeviç, thekson se zgjedhjet në Serbi nuk ndryshojnë drejtpërdrejt statusin ligjor të Listës Serbe në Kosovë. Megjithatë, ai pret rishikim të marrëdhënieve politike:

“Sa i përket politikave, do të ketë hapësirë për një rishikim rrënjësor. Nuk e kam fjalën për ristrukturimin e Listës Serbe, por për një rishikim rrënjësor të politikës ndaj Kosovës, që do t’i përfshijë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Do të shtrohet pyetja nëse ata i kanë keqpërdorur pozitat e tyre në sistemin serb gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Përparimtare Serbe”.

Burimi: Radio Evropa e Lirë.