Avokatja Adelina Hoxha ka rrëfyer në “Rubikon” të Klan Kosovës problemet familjare dhe institucionale që, sipas saj, Arlinda Zekaj kishte hasur para vrasjes.
“Arlinda në korrik ka thënë: ‘Unë jam ndarë nga burri’. Burri e ka nxjerrë nga shtëpia, ia ka djegur teshat, ia ka dërguar videon se si po ia djeg teshat në oborr”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas avokates, hetuesit nuk e kishin evidentuar fillimisht videon dhe më vonë ia kishin kërkuar Arlindës.
“Kur ka shkuar ta kërkojë fëmijën, të cilin e kishte lënë për dy javë te axha dhe gjyshja e tij, nuk e ka gjetur në Deçan dhe nuk ia kanë dhënë. Ajo ka tentuar të arrijë marrëveshje me burrin e saj, i cili ka qenë në Amerikë, për ta kthyer fëmijën, por nuk ia kanë kthyer. Ka shkuar në polici dhe fëmijën e ka gjetur në Vitomiricë. Procedurat janë zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe jo ligjore. Fëmija është marrë në pyetje pa psikolog dhe pa një person të licencuar nga QPS-ja. Prokurores i jam drejtuar menjëherë, sepse fëmija ishte kthyer te axha i vet. Nuk merret mendimi i fëmijës kur merret në pyetje vetëm njëri prind. Të nesërmen i kam shkuar prokurores në zyrë”, ka deklaruar ajo.