Një 39-vjeçar në Pejë është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit, pas denoncimit të ish-bashkëshortes për kërcënime ndaj jetës dhe dyshimeve për dëmtim prone.
Sipas Gazetës Sinjali, 37-vjeçarja e raportoi rastin më 25 tetor në Vitomiricë. Ajo thotë se kërcënimet e përsëritura e kishin detyruar të largohej nga shtëpia me fëmijët. Gjithashtu, pretendon se ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar me djegien e shtëpisë, e cila disa ditë më vonë ishte përfshirë nga zjarri. Edhe kjo ngjarje ishte raportuar në polici.
Sipas denoncimit, kërcënimi i fundit ndaj saj ishte bërë gjatë një telefonate të të dyshuarit me fëmijët. Ai dyshohet gjithashtu se më 26 tetor kishte thyer xhamat e derës dhe të dritareve të ballkonit në shtëpinë e nënës së gruas.
Rasti është iniciuar për “Kanosja” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, në kontekstin e dhunës në familje. Hetimet vazhdojnë, ndërsa i dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.