Mjeku Ermal Pasha ka deklaruar se u pengua t’i jepte ndihmë Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit të plagosur rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, dyshohet nga një plumb gome.
“Ishte një moment kur pashë një person në anën tjetër të Lanës, që ishte shtrirë dhe rreth tij ishin mbledhur disa persona. Mendova se ishte një moment asfiksie nga gazi. Kur pashë që situata po zgjaste, tentova të vrapoja drejt tij, por nuk më lejuan. Isha vetëm. Hoqa maskën, syzet dhe u prezantova që të më njihnin. Doja ta ndihmoja, por u pengova”, ka treguar ai.
Pasha ka ngritur dyshime edhe për transportimin e të plagosurit: “Si ka mundësi që hipi në ambulancën e policisë dhe më pas u zbrit? Kush e dha urdhrin? E mori një ambulancë që rrinte te radhët e policisë, një fuoristradë e transformuar në ambulancë, një nga ato që transportonin edhe gaz lotsjellës”.
Për pretendimet e mjekut mbi pengimin e ndihmës dhe rrethanat e transportimit ende nuk ka një sqarim zyrtar.