Adonis Demiri, 27 vjeç, dhe vajza e tij tremuajshe u gjetën të vdekur më 1 nëntor në Demiraj të Gjilanit. Për rastin është arrestuar babai i tij, Brahim Demiri, 65 vjeç, i cili është ndaluar për 48 orë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, ka raportuar për gjetjen e një litari dhe dyshime për inskenim të ngjarjes. Sipas burimeve të televizionit, dyshohet për ngulfatje, ndërsa te 27-vjeçari dhe i arrestuari janë raportuar shenja të mundshme përleshjeje.
Zogaj ka raportuar edhe dyshime se nëna e kishte lënë foshnjën në spital pas lindjes dhe vajza më pas ishte nën kujdesin e babait. Mënyra e rregullimit të kujdestarisë nuk është sqaruar zyrtarisht.
Këto rrethana mbeten të pakonfirmuara nga hetuesit apo ekspertiza përfundimtare mjekoligjore. Trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet për shkaqet dhe përgjegjësitë vazhdojnë.