Aktivistja Paola Pesjaka tha në “Review” me Greta Topjanën se është ende herët për një lëvizje politike studentore, pasi një hap i tillë mund të përçajë protestën.
“Kjo temë është delikate. Në shesh ka të rinj, ka studentë, ka grupe të ndryshme, siç ka parti të vogla opozitare, ka të moshuar, kategori të ndryshme që në shesh janë mbledhur për një arsye të caktuar. Kështu që të them se është ende herët për të folur për një lëvizje të mundshme studentore. Pse? Sepse mendoj se do të përçante frymën e studentëve për atë që ata kërkojnë”, deklaroi ajo.
Pesjaka tha se protesta ka një kërkesë kryesore dhe nëntë të tjera, duke sqaruar: “Pse them qeverisjes dhe nuk them ndryshimi i kryeministrit? Sepse kuptohet sikur ne e kemi personale me Edi Ramën. Ne kërkojmë diçka më të madhe, që është ndryshimi i mënyrës së qeverisjes. Nuk është personale. Ne po flasim për zgjedhje të mundshme parlamentare që do të jenë pas dy vitesh. Prandaj ne kërkojmë ndryshimin e mënyrës së qeverisjes”.
Për shembullin serb, ajo u shpreh: “Patjetër që rasti i Serbisë i dha shumë hov mendimit të njerëzve për krijimin e një lëvizjeje, por ama ne e dimë që përfaqësuesit e lëvizjes studentore në Serbi nuk ishin studentë dhe iu deshën dy vite për t’u konsoliduar. Lëvizja studentore ka qenë një lëvizje që po e bëjnë vetë studentët për t’u përfaqësuar, por jo lëvizje politike”.