Një grua anonime ka rrëfyer në “Rubikon”, në Klan Kosova, dhunën fizike dhe psikologjike që pretendon se ka përjetuar nga bashkëshorti gjatë jetesës në Kanada.
“Ka ushtruar dhunë ndaj meje, ka bërë thyerje, çkyrje të gojës gjatë shtatzënisë. Përdorimi i drogës ka qenë njëra prej gjërave më të këqija. Presion kam pasur gjithmonë…”, rrëfeu ajo.
“Kam pasur dhunë fizike, lëndime të trupit, kam qëndruar nëntë muaj në spital, në vitin 2021. Kam qëndruar në spital sepse nuk më ka dhënë as të ha e as të pi. Edhe vjehrra ka bashkëpunuar me të”, tha ajo.
Gruaja tha se rastin e kishte denoncuar në Kanada, duke përmendur edhe përdorimin e drogës dhe posedimin e armëve. Duke përshkruar përjetimet, ajo u shpreh: “Çdo pjesë e trupit… Kam dashur në një mënyrë edhe të bëj vetëvrasje”.
Aktualisht ndodhet në Kosovë. Për ardhjen e saj, tregoi: “Kësaj radhe me vullnet të lirë më ka lënë, sepse e kam marrë me të mirë. Madje ia kam tërhequr edhe padinë, vetëm që të më lejonte të vija”.
Sipas saj, gjykatësja i kishte thënë të kthehej në Kanada me fëmijët, ndonëse raporti i Qendrës për Punë Sociale pasqyronte dëshirën e tyre për të qëndruar me nënën.
“Kam frikë se mund t’i mbys fëmijët. E kam jetën në rrezik…” – tha ajo.