Gazetari Blendi Fevziu ka rikthyer në vëmendje një fotografi nga Liceu i Korçës, ku shfaqen Enver Hoxha, Sabiha Kasimati dhe Myslym Çarçani. Fotografia, e ruajtur nga Çarçani, u publikua nga historiani Kastriot Dervishi.

“Një foto që nuk arrin dot të paralajmërojë një tragjedi. Kjo foto që po shihni është shkrepur në 1 nëntor të vitit 1929 në Liceun e Korçës. Janë shokët e klasës në orën e matematikës. Në qendër është Enver Hoxha, një nxënës nga Gjirokastra. Nën të është e vetmja vajzë e klasës, Sabiha Kasimati, edhe ajo nga Gjirokastra”, tregon Fevziu.
Kasimati u dallua për studimet në biologji dhe faunën shqiptare. Më 26 shkurt 1951, ajo u pushkatua pa një proces të rregullt gjyqësor, bashkë me 21 persona të tjerë, pas shpërthimit pranë Legatës Sovjetike në Tiranë. Sipas Fevziut, Çarçani u arrestua në vitin 1945 dhe kaloi dhjetë vjet në burg.
“Çfarë ndodhi? Sabiha Kasimati u bë e para shkencëtare në historinë e Shqipërisë. Enver Hoxha u bë diktator i vendit, ndërsa Myslym Çarçani ishte ndër viktimat e para të tij”, shprehet Fevziu.
“Askush nuk e dinte kur kjo foto është shkrepur dhe të gjithë janë të qeshur, se çfarë tragjedie do të provonte më vonë. Ky burrë vrau këtë grua dhe futi në burg burrin tjetër”, thotë ai, duke iu referuar përgjegjësisë së regjimit të Hoxhës.
“Ja se si një foto e bukur klase mund të kthehet në tragjedi. Distanca kohore është e madhe, po historitë janë thuajse njësoj”, përfundon gazetari.
Në vitin 1991, Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm 22 personat e ekzekutuar në shkurt të vitit 1951.