Ben Blushi rrëfen në librin “41 sekretet” se në vitin 1977, kur ishte në klasën e tretë, ai dhe shoku i tij i bankës, Andi Bushati, arritën të merrnin numëratorin konfidencial të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në të figuronte edhe numri i linjës direkte të Enver Hoxhës.
Dy nxënësit ua dhanë numrin shokëve të klasës. Për ditë me radhë, fëmijët që kishin telefon në shtëpi i binin atij numri dhe e mbyllnin telefonatën sapo dikush përgjigjej.
Sipas rrëfimit të Blushit, telefonatat vunë në lëvizje Sigurimin e Shtetit dhe Drejtorinë e Dytë. Hetuesit gjurmuan thirrjet dhe zbuluan se bëhej fjalë për një lojë fëmijësh.