“Rrezikon deri në..”/ Avokati njohur zbulon çfarë e pret Ballukun pas mbylljes së hetimeve

Pas dërgimit të dosjes së Belinda Ballukut në Gjykatën e Posaçme, avokati Kujtim Cakrani tha në një intervistë televizive se mund të duhen pesë deri në gjashtë muaj që gjykata të vendosë nëse çështja kalon në gjykim apo kthehet në SPAK për plotësim hetimesh.

“Tashmë pritet që të bëhet kontrolli paraprak, seanca për të filtruar të gjitha veprimet e prokurorisë, për të dëgjuar akuzën, përfaqësuesit ligjorë të Ballukut dhe vetë atë, për pavlefshmëri, thirrje dëshmitarësh apo pranim provash. Do të jetë seanca paraprake për të cilën do të bëhet vlerësimi i dosjes dhe pastaj Gjykata do të vendosë nëse do ta rikthejë për plotësim hetimesh ose dosja është e plotë dhe kalon në gjykim.

Procesi merr kohë nga 5-6-8 muaj, por varet nga dinamika, avokatët, ecuria e procesit. Megjithatë, si rregull duhet të përfundojë brenda një muaji, por Kodi i Procedurës nuk zbatohet asnjëherë. Unë mendoj që do të marrë një kohë relativisht të gjatë, deri në 5-6 muaj”, tha Cakrani.

Cakrani kritikoi edhe mënyrën si shumica parlamentare trajtoi kërkesën e parë për arrestimin e Ballukut. Pas refuzimit të saj, SPAK tha se nuk kishte prova apo rrethana të reja të mjaftueshme për të kërkuar sërish autorizim nga Kuvendi.

“Kjo ka lënë shumë dyshime te ne avokatët që kemi çështje në hetim dhe gjykim. Kjo që ka ndodhur me Ballukun ka kaluar kufijtë e normales. Për raste të tjera, është kërkuar dhe dhënë autorizimi pa ndjekur mënyrat klasike të kontrollit të dosjes nga ana e deputetëve.
Kjo çështje mbart ngarkesë juridike, por edhe politike. Rasti i Ballukut s’duhej të ishte përjashtues, por i duhej nënshtruar heqjes së imunitetit që prokuroria të kryente kontrolle në banesë, zyrë etj. Kjo nuk ia lehtëson pozicionin Ballukut, se tashmë ajo është marrë e pndehur. Për sa kohë kanë mbaruar hetimet, besoj se do të kenë prova të mjaftueshme për ta inkriminuar.

Akuzat janë shumë të rënda dhe nëse do të shpallet fajtore, parashikohet një marzh dënimi deri në 15 vite. Pastaj varet nëse Balluku do të shkojë me gjykim normal apo të shkurtuar”, tha Cakrani.

Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Dosja përfshin 28 të pandehur, mes tyre dy kompani, dhe lidhet me 10 tenderë publikë me vlerë rreth 400 milionë euro, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës. Hetimet vijojnë për tenderë të tjerë dhe bashkëpunëtorë të mundshëm.