E rëndë se çfarë dënimi shtesë po kërkon prokuroria e Hagës për Hashim Thaçin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00,

aktgjykimin në shkallë të parë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Seanca do të jetë publike dhe aktgjykimin do ta shpallë gjyqtari Christopher Gosnell.

Çështja për pengim të drejtësisë është e ndarë nga gjyqi për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas aktakuzës, nga prilli deri në nëntor 2023, Thaçi dyshohet se u përcolli disa të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët. Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi u mor vesh me Kuçin që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë në kundërshtim me kufizimet e gjykatës.

Thaçi përballet me 11 pika të akuzës: tri për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen me nga dy akuza, një për tentativë pengimi dhe një për mosbindje ndaj gjykatës. Kuçi akuzohet për dy raste të mosbindjes ndaj gjykatës.

Sipas Gazetës Sinjali, Prokuroria kërkon gjashtë vjet burg për Thaçin, pa ia llogaritur kohën e kaluar në paraburgim. Për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun ka kërkuar nga tre vjet burg, ndërsa për Kuçin nëntë muaj. Mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar akuzat dhe kërkon shpalljen e tij të pafajshëm.

Shpallja e aktgjykimit do të transmetohet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara në shqip, anglisht dhe serbisht, me rreth dhjetë minuta vonesë.