Jairo Aretha Leal, punëtor pastrimi 30-vjeçar në Algarrobo të Malagës, Spanjë, ka marrë ofertë për punë të përhershme nga kompania FCC, pasi dorëzoi në polici një zarf me mbi 12 mijë euro të gjetur në një kosh plehrash.
Kontrata e tij pritej të përfundonte më 30 dhjetor, ndërsa ai përballej me vështirësi financiare. “Janë shumë para. Mbeta i shtangur. Nuk jam i pasur, aspak. Mund të më shpëtonin nga borxhet për makinën, shtëpinë dhe një mijë e dy gjëra të tjera”, tregoi ai.
Pas një nate duke menduar, Jairo vendosi t’i dorëzonte paratë. “Sa vlen një ndërgjegje e pastër?”, ishte pyetja që, sipas tij, ndikoi në këtë vendim.
“Ata bënë këtë gjest të bukur për shkak të ndershmërisë që tregova. Kontaktuan mbikëqyrësin tim dhe ai më tha se, për shkak të këtij veprimi, do të më mbanin përgjithmonë”, rrëfeu ai për ofertën e kompanisë.
Ndërkohë, paratë u janë kthyer pronarëve të ligjshëm.