Dalin detaje të reja nga vrasja e Arlindës/ Ja çfarë zbuluan hetuesit në telefonin e ish-vjehrrës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke përfshirë ish-bashkëshortin Jeton Sylaj, ish-vjehrrën Nurije Sylaj, ish-kunatin Driton Sylaj, si dhe Metë Pepajn e Gëzim Bobin.

Arlinda u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pasi ishte kthyer në shtëpi me përcjellje policore. Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se kanë ndihmuar Albert Sylajn në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes.

Prokuroria dyshon se Nurije e kishte fotografuar dhe incizuar viktimën që nga 22 tetori 2026. Në telefonin e saj është gjetur një video e 23 tetorit, e cila dyshohet se ishte realizuar nga Dritoni dhe dërguar përmes WhatsApp-it. Këto veprime dyshohet se ishin pjesë e një koordinimi për përcjelljen e lëvizjeve të Arlindës.

Nurije dyshohet gjithashtu se ishte e pranishme gjatë sulmit, pa ndërhyrë për ta penguar. Në deklaratën si dëshmitare, ajo kishte pretenduar se viktima e kishte shtyrë e rrëzuar dhe se kishte qenë pa ndjenja gjatë vrasjes.

Sipas Prokurorisë, ky version nuk përputhet me provat e mbledhura, veçanërisht me pamjet e kamerave të sigurisë, që tregojnë praninë e saj gjatë një pjese të ngjarjes.