Gjykata Themelore në Pejë
u ka caktuar 30 ditë paraburgim Nurije Sylajt, Driton Sylajt, Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit, të dyshuar në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Vendimin e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” burime brenda Gjykatës.
Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, ish-kunati, dyshohen se kanë ndihmuar Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes. Pepaj dhe Bobi dyshohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.
Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylajt, i cili dyshohet për “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, Nurije dyshohet se e kishte fotografuar dhe incizuar Arlindën që nga 22 tetori 2026. Në telefonin e saj është gjetur një video e 23 tetorit, e cila dyshohet se ishte realizuar nga Dritoni dhe dërguar përmes WhatsApp-it.
Prokuroria i konsideron këto veprime pjesë të një koordinimi për shkëmbimin e informacioneve mbi lëvizjet e viktimës. Ajo dyshon gjithashtu se Nurije ishte e pranishme gjatë sulmit ndaj Arlindës, pa ndërmarrë veprime për ta penguar.