Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle, ka deklaruar në një intervistë me shkrim për RTV21 se kushtet e paraburgimit përmbushin ose tejkalojnë standardet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare.
Sipas tij, të paraburgosurit kanë qasje të përditshme në ajër të pastër, ushtrime fizike, sport, kopshtari, pikturë dhe gatim, si dhe në shërbesa fetare e materiale mediatike në shqip. Kujdesi shëndetësor, tha Doyle, është së paku në nivelin e shërbimeve përgjithësisht të disponueshme në Holandë.
Ai theksoi se kontaktet me familjarët dhe miqtë mbahen përmes telefonatave, korrespondencës, vizitave fizike dhe video-lidhjeve. Sipas tij, secilit të paraburgosur i garantohen 10 ditë në muaj për vizita.
Doyle tha se Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kryen inspektime të rregullta, të paparalajmëruara dhe të pavarura. Ai iu referua raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2025, që i vlerësonte kushtet në përputhje me standardet ndërkombëtare. Inspektimi më i fundit i këtij institucioni është kryer në tetor 2026.
Për ankesat, të paraburgosurit mund t’i drejtohen shefit të paraburgimit, Avokatit të Popullit ose Kryqit të Kuq. Nëse çështjet mbeten të patrajtuara, mund t’i drejtohen Administratorit dhe, në fund, gjyqtarëve. Doyle theksoi gjithashtu se diskriminimi është i ndaluar.