Sihana Ferhati ka rikthyer përvojën me Policinë pas vdekjes së babait, Ferhat Bejtullahut, pas publikimit të videos ku komandanti Faruk Muçolli i thotë Arlinda Zekajt “na ke lodhë”.
“Fatkeqësisht, Faruku ka shumë shokë si ai, që janë policë me detyrë, por që u mungon thellësisht empatia, dituria e njohuria për detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë”, ka shkruar ajo.
Sihana thotë se, kur kërkoi shpjegime për mungesën e raportit të aksidentit dhe deklaratave të dëshmitarëve, polici G.K. iu përgjigj: “Mu m’thojke: ‘Shiqo, zonjë, babi yt nuk o’ desht me dalë aty në rrugë, o desht me kalu te zebrat!!!!!!!’ Polici, ej, qikës së viktimës, një javë pas aksidentit, me mbajke ligjërata çka o desht viktima (tashmë i ndjerë) me vepru”.
“Edhe në Inspektorat jemi anku për sjelljen e tij, po ja që Inspektorati vendosi me qenë në anën e policit e na kthyn përgjigje që polici i nderum, G.K., i ka respektuar të gjitha rregullat dhe ka vepruar si duhet!”, ka shkruar Sihana.
“Arlinde, zemrën na ke thy, por emri yt ka me u mbajt mend, për gruan e guximshme, të vetme, të pambrojtur që ke arritë me e qitë në pah një sistem të kalbun të drejtësisë! Eh… që po, për besë, është e dhimbshme deri në asht!”, ka shtuar ajo.
Sihana u është drejtuar personave që i konsideron përgjegjës: “Ju që jeni pjesëmarrës në krim e i keni duart e lyera me gjak, a po ju merr gjumi natën?”
Më 2 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Vullnet Gashin me një vit e katër muaj burgim për aksidentin fatal të vitit 2023, ku humbi jetën Ferhat Bejtullahu.