Arlinda Zekaj kishte raportuar më 21 shtator 2026 një mesazh të ish-bashkëshortit, Jeton Sylajt, që e kishte përjetuar si paralajmërim për hakmarrje. Sipas raportit të koordinatorit nacional për dhunën në familje, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Argzon Hasi udhëzoi procedimin me shënim zyrtar.
“Ndër të tjera deklaronte se me datë 21.09.2026, Jetoni i kishte dërguar një mesazh në rrjetin social WhatsApp, ku ju kishte drejtuar me fjalët ‘kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba’”, thuhet në raport.
“Në deklarimin e saj Arlinda kishte potencuar se bashkëshorti i saj i dërgonte mesazhe të cilat përbëjnë paralajmërim dhe se kishte frikë nga mundësia e hakmarrjes.”
Arlinda u udhëzua të paraqitej të nesërmen në Qendrën për Punë Sociale. Për urdhrin mbrojtës të 7 shtatorit, raporti shënon: “Sipas deklaratës së viktimës, e njëjta deklaron se Policia asnjëherë nuk e kishte kontaktuar të njëjtën për ekzekutimin e urdhrit mbrojtës.”
Më 22 shtator, me udhëzim të Hasit dhe prokurores Suada Hamza, u hap rast penal ndaj Jetonit. QPS-ja konstatoi se ai kishte shkuar në SHBA, duke ia besuar fëmijën vëllait.
“Lidhur me rastin 2026-DA-1274, i cili është hapur për dy vepra penale kundër Jeton Sylaj dhe atë veprat penale ‘Mospërfillja e urdhrit të Gjykatës’ dhe ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’, nuk dihet nëse ky rast është dorëzuar në prokurori, nëse jo, pse nuk është dorëzuar?!”, thuhet në raport.
Në përgjigjen e tij, Hasi tha se kishte iniciuar rast për mospërfillje të urdhrit gjyqësor, pasi Arlindës nuk i lejohej hyrja në shtëpi. Për çështjen e fëmijës, kishte udhëzuar kontaktimin e prokurorit për të mitur dhe QPS-së.
Arlinda u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet vëllai i Jetonit, Albert Sylaj.