Anna Zhubi ka folur në “Kosova Today” për martesën e shoqes së saj, Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati në Pejë. Sipas saj, Arlinda përjetonte vazhdimisht përbuzje dhe ofendime nga ish-bashkëshorti.
“Gjithmonë e përbuzte, e ofendonte, gjithmonë e bënte të ndihej më e vogël, më e ulët dhe jo e barabartë me rrethin ku ishte”, tha ajo.
Zhubi ka ngritur pretendime edhe për të kaluarën e Jetonit në SHBA: “Ne u njohëm përmes bashkëshortëve tanë, të cilët ishin shokë, dhe kështu filloi njohja jonë. Jetoni, në fakt, kishte probleme në Amerikë shumë kohë para Arlindës. Qysh në vitet 2000-2001, ai ishte i martuar me një shtetase amerikane, me të cilën kishte dy vajza binjake. Që atëherë ishte denoncuar për dhunë në familje dhe ishte burgosur për vite me radhë. Si rezultat i atij burgimi, ai i humbi kontaktet me dy vajzat. Fakti që ai ishte një lloj dhunuesi nuk ishte diçka e re në lidhje me Arlindën”, ka deklaruar ajo.