Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar Jeton Sylajt një muaj paraburgim për veprën e dyshuar “Mospërfillja e gjykatës”, deri më 24 nëntor 2026. Vendimi mund të ankimohet brenda 48 orëve.
“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, ka thënë ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”. Ai kundërshtoi paraburgimin, duke përmendur kujdesin për djalin 12-vjeçar dhe duke thënë se pasaportat nuk i kishte në dispozicion.
Prokurori Argzon Hasi tha se ndaj Sylajt ka gjashtë raste penale të hapura, katër gjatë vitit 2026. Prokuroria pretendon se ekziston rreziku i arratisjes dhe se ai e kishte kërcënuar Arlindën edhe ditën e vrasjes, pavarësisht urdhrit gjyqësor.
Avokati Gani Kelmendi kundërshtoi pretendimet, mohoi që klienti i tij të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj Arlindës dhe kërkoi masë më të lehtë sigurie.
Në vendim citohet edhe deklarata e Arlindës në Polici pak orë para vrasjes: “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?”. Arlinda u vra më 25 tetor në Vitomiricë, ndërsa për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.