Konfirmohet largimi i Bora Zemanit nga Top Channel? Ja çfarë thuhet se ka ndodhur

Sezoni i ri televiziv do ta gjejë Bora Zemanin larg ekranit të Top Channel, pas shumë zërave që kishin nisur të qarkullonin kohët e fundit mbi këtë zhvillim.

“Prive By Liberta Spahiu” ka raportuar se marrëdhënia profesionale mes moderatores dhe këtij televizioni ka përfunduar, duke i dhënë fund një periudhe disa vjeçare gjatë së cilës ajo drejtoi disa nga emisionet më të rëndësishme të rrjetit.

Kjo ndarje vjen në një periudhë kur thashethemet për largimin e saj kishin pushtuar rrjetin. Ndonëse është aluduar se asaj i është ofruar drejtimi i “Ferma VIP Club”, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar lidhur me këtë pistë apo ndonjë angazhim të ri nga ana e moderatores apo televizionit. Karriera e saj në Top Channel mori një hov të madh në vitin 2020, me besimin e moderimit të “Për’puthen”.

Ky program u shndërrua shpejt në një ndër më të shikuarit, duke i siguruar Zemanit një famë të gjerë edhe në rrjetet sociale. Pas suksesit me “Për’puthen”, ajo u zhvendos në prime time, ku në vitin 2022 mori përsipër drejtimin e “Dancing With The Stars”, duke vazhduar në këtë pozicion edhe për sezonin e dytë, për t’iu besuar më pas edhe programit “Piramida”.

Angazhimi i saj në Top Channel vijoi edhe gjatë vitit 2025, kur ajo u bë pjesë e programit humanitar “Për Shqiptarët” përkrah Elvis Naçit.

Sidoqoftë, ky cikël tashmë është mbyllur.

Shkaqet e sakta të këtij vendimi mbeten të paqarta, ndërsa çdo hamendësim për konflikte të mundshme apo transferim në ndonjë tjetër televizion mbetet ende në nivelin e thashethemeve të pakonfirmuara.