Kurti paralajmëron rritje të re të shtesave për fëmijë, tregon sa do të bëhen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar rritje të re të shtesave për fëmijët, duke paralajmëruar se gjatë mandatit të ri qeverisës kjo mbështetje financiare do të dyfishohet.

Kurti e ka bërë këtë zotim gjatë prezantimit të programit të Qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se shtesat aktuale prej 30 deri në 45 euro për fëmijë do të rriten në përputhje me kategorinë e familjes.

Sipas planit të prezantuar nga kryeministri, shtesat prej 30 eurosh në muaj do të rriten në 60 euro, ndërsa për familjet me tre ose më shumë fëmijë, ku aktualisht pagesa arrin në 45 euro për fëmijë, shuma është paraparë të shkojë në 90 euro.

“Shtesat për fëmijë do të dyfishohen: nga 30 euro në 60 euro dhe nga 45 euro në 90 euro”, thuhet në ekspozenë e Kurtit për programin qeveritar. Kryeministri

Kurti ka deklaruar se rritja e mbështetjes për familjet do të jetë një prej prioriteteve të mandatit të ri, duke e lidhur realizimin e këtyre masave me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike të vendit.

Premtimi do të nënkuptonte një ndryshim të konsiderueshëm për familjet që aktualisht përfitojnë nga skema. Për shembull, për një familje me tre fëmijë, pagesa mujore do të shkonte në 270 euro nëse zbatohet niveli prej 90 eurosh për secilin fëmijë.