Komisioni Evropian po shqyrton një plan që do t’u mundësonte Shqipërisë dhe Malit të Zi të dërgonin komisionerë në Bruksel përpara anëtarësimit zyrtar në BE, sipas medias belge “Rapporteur”, raporton TCH.
Kjo do t’i përfshinte më herët në politikat evropiane, përpara përfundimit të ratifikimit nga 27 shtetet anëtare. Në dokumentin e zbardhur thuhet se “Komisioni Evropian e konsideron të justifikuar mundësinë që një vend që po anëtarësohet në union duhet të emërojë një Komisioner gjatë kësaj periudhe”.
“Një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjiumit për çështje relevante, duke ruajtur plotësisht autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të këtij organi drejtues të BE-së”, thuhet më tej në dokument.
Komisionerja Marta Kos do ta paraqesë strategjinë e detajuar të zgjerimit të martën në Bruksel. Plani parashikon edhe integrim më të thellë të vendeve kandidate në tregun e vetëm, krahas zbatimit të reformave për anëtarësim.