Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Report Tv, SPAK regjistroi procedimin më 30 tetor dhe dyshon se Hyseni përfitoi të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi në këmbim të informacioneve sekrete të SHISH-it.
Hetimi nisi nga një shënim i gjetur në zyrën e Agasit, ku ishte shënuar shuma prej 119 162 400 lekësh, rreth 1,2 milionë euro. Sipas dosjes, të njëjtën shumë ia transferoi “Enklo Counstruction” kompania “Sinteza Co”, e cila kishte fituar me “Albascan” një tender të AKSHI-t prej rreth 18 milionë eurosh. Më pas, “Enklo Counstruction” pagoi 290 mijë euro për Range Roverin e Agasit dhe transferoi 420 mijë euro te “Fortis Beton” e Orest Sotës.
Në mars 2024, “Fortis Beton” dërgoi dy transferta nga 250 mijë euro te një kompani gjermane ku punon njëri prej vëllezërve të Hysenit. Pagesat figuronin për projektimin e një qendre tregtare në Tiranë që nuk u realizua. Një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh drejt një kompanie të përfaqësuar nga vëllai tjetër u anulua më 27 shkurt 2024.
Sota deklaroi se pagesat lidheshin me projektimin e një pallati dhe se studion gjermane ia kishte rekomanduar Agasi. SPAK dyshon se paratë erdhën nga fondet e AKSHI-t dhe ka kërkuar informacion nga autoritetet në Gjermani dhe Kosovë.
Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi arrestin në shtëpi dhe ndalimin e daljes jashtë vendit ndaj Hysenit për akuzat e nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit.