Tri ditë para vr’asjes.. Ja çfarë i kishte thënë ish-bashkëshorti Arlindës

Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur më 23 tetor 2026 aktakuzë për kanosje ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj.

Aktakuza e siguruar nga KALLXO.com përmban deklarimet e Arlindës në polici gjatë korrikut 2026, ku ajo kishte rrëfyer kërcënimet:

“Kam me të mbytë, kam me të ngreh zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime, kur\*\*, kud\*\*, rrugaçe, ki me flejt në sokak, s’ki me pa më djalin nëse jam gjallë unë” – citohet të ketë deklaruar ajo më 10 korrik.

Për jetesën në SHBA, Arlinda kishte treguar:

“Me Jetonin kemi jetuar rreth 11 vite në shtetin e Amerikës, dua të deklarohem se deri sa kam jetuar në Amerikë, Jetoni ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj meje, me çka e kam raportuar në Amerikë dhunë familjare”.

Ajo kishte rrëfyer edhe presionet për t’u larguar nga shtëpia:

“Jetoni më ka detyruar që unë të hyj në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 mijë euro dhe që dy vite që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin dhjetor 2025, Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti s’ki çka lypë aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime’”.

E pyetur për armën dhe sigurinë e saj, kishte deklaruar:

“Po, Jetoni posedon armë zjarri me leje. Jo, asnjëherë nuk më ka kërcënuar me armë, nuk e di ku ndodhet arma. Po, shumë e ndjej veten të rrezikuar nga Jetoni”.