Gazeta Nacionale raporton se Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, dyshohet se ka sulmuar fizikisht Andi Pajazitin, të njohur si “Italiani”, në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Hoxhajt iu shqiptua një dënim unik prej 24 vjetësh burgim për vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” në Prizren në janar 2023, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Pajaziti u lirua nga akuza për vrasjen e Kastriot Ramadanit në rastin “Bon Vivant”, pasi gjykata konstatoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Ai po vuan dënimin me dy vjet burgim për mbajtje të paautorizuar të armës.