Aksidentet rrugore në Shqipëri kanë shënuar rritje gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë edhe një detaj interesant për oraret kur ndodhin më shpesh.
Nga janari deri në gusht janë regjistruar 983 aksidente rrugore, kundrejt 926 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje prej 6.2%. Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur është rritur, nga 1,306 në 1,378.
Por gushti ka sjellë një tendencë ndryshe. Gjatë këtij muaji u regjistruan 139 aksidente, 12.6% më pak krahasuar me 159 raste në gusht të vitit 2025. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve gjithashtu ra nga 229 në 191 persona.
Ajo që bie në sy në statistikat e gushtit është pikërisht ora kur ndodhin aksidentet. Sipas INSTAT, intervali 19:00-24:00 rezulton më problematiku, pasi gjatë këtyre pesë orëve kanë ndodhur 20.1% e të gjitha aksidenteve të muajit.
Edhe dita e javës duket se bën diferencë. E hëna mban vendin e parë, me 18% të aksidenteve, ndërsa e mërkura dhe e premtja rezultojnë ditët me përqindjen më të ulët, me nga 11.5%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 86.3% e aksidenteve të gushtit lidhen me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç zë peshën më të madhe, me 31.7% të rasteve të regjistruara gjatë muajit.