Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës ka hapur thirrjen për Programin e Vetëpunësimit 2026. Punëkërkuesit e regjistruar mbi moshën 22-vjeçare mund të përfitojnë grante deri në 6 mijë euro për blerjen e pajisjeve dhe makinerive për biznese të reja.
Programi përfshin edhe trajnime për zhvillimin e biznesit, përgatitjen e planeve të biznesit, si dhe mentorim e mbështetje profesionale për 12 muaj.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet grave, të rinjve që nuk janë në punësim, arsim apo trajnim, komuniteteve joshumicë dhe personave me aftësi të kufizuara. Përparësi kanë idetë në prodhimin dhe përpunimin e ushqimit, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, ndërtimtari, artizanat dhe industri kreative.
Aplikimet dorëzohen fizikisht në Zyrën e Punësimit ku aplikuesi është i regjistruar. Afati është nga 16 deri më 30 nëntor 2026, në orën 16:00.
Thirrja e plotë dhe formularët gjenden në [faqen zyrtare të Agjencisë së Punësimit](https://aprk.rks-gov.net/Home/PublicationsDetails/61). Përfitimi i grantit varet nga kriteret dhe procesi i përzgjedhjes.