Rajoni i Kalabrisë në Itali, përmes programit “Ripopola Calabria”, ofron përdorimin pa qira për dhjetë vjet të 50 banesave publike në 26 komuna. Në këtë fazë, rajoni mbulon plotësisht rikonstruksionin, ndërsa mobilimi nuk përfshihet.
Banesat nuk kalojnë në pronësi të përfituesve. Ata duhet të zhvendosin vendbanimin në komunën përkatëse dhe ta mbajnë aty gjatë gjithë periudhës së përcaktuar.
Mund të aplikojnë edhe shtetas të huaj, nëse janë madhorë, kanë vendbanimin jashtë Kalabrisë prej të paktën tre vjetësh dhe kanë të drejtë ligjore për të jetuar në Itali.
Përparësi parashikohet për çiftet e reja, familjet me fëmijë, familjet me një prind, personat me aftësi të kufizuara, punonjësit në distancë, të vetëpunësuarit dhe profesionistët e sektorit kulturor. Përzgjedhja bëhet përmes listave publike të pikëzimit.
Aplikimet dorëzohen në [platformën zyrtare të programit](https://ripopola.regione.calabria.it/) deri më 18 dhjetor 2026, në orën 17:00. Aplikuesit mund të zgjedhin deri në tri banesa, sipas preferencës. Për identifikim kërkohet SPID, karta elektronike italiane e identitetit (CIE) ose një identitet digjital i njohur përmes sistemit eIDAS.